Friday, January 13, 2012

Qytetarë të mirë informuar, si bazë për demokracinë


Koncepti i demokracisë në vendet në tranzicion

Për të bërë një fillim për së mbari duhet të kujtojmë kuptimin e nocionit “demokraci” fjalë e cila vjen nga greqishtja e vjetër e përbërë nga bashkimi i nocionit demos-popull dhe cratio-sundim. Në shekullin në të cilin ne jetojmë është shumë i rëndësishëm funksionimi i një shteti demokratik dhe i një shoqërie që udhëhiqet nga vullneti i lirë i popullit.

Sot media luan një rol shumë vendimtar sa i takon ndërtimit të binarëve të një demokracie të mirëfilltë. Media zë vendin e katër sa ju takon mbajtësve të fuqisë publike të një shteti. Ajo ka rolin e një gjyqtari që vlerëson ose ndëshkon punën e institucioneve shtetrore gjithmonë duke mbajtur anën e popullit dhe duke ruajtur interesat e tyre. Mirëpo vendet në tranzicion, ku bën pjesë edhe Maqedonia, akoma hasin në probleme të shumta kur bëhet fjalë për informimin objektiv të mediave. Një rajon dhe një shoqëri tejet e politizuar, si kjo në mesin e të cilës ne jetojmë, e ka akoma shumë të vështirë të ketë media të pavarura dhe objektive. Si arsye kryesore janë vështirësitë financiare me të cilat përballen mediat në vende të këtilla, kryesisht të dobëta ekonomikisht, për të cilat është e patjetërsueshme të pranojnë mjete financiare nga institucionet ose partitë politike.

Po t’i hedhim një vështrim sipërfaqësor tranzicionit të vendeve të Ballkanit do të shohim që tek ato vërehet një vullnet për ndryshime megjithatë trashëgiminë e gjatë të monizmit politik nuk mund ta fshijmë aq lehtë nga mendjet e popullit. Për tejzgjatjen e tranzicionit Xhejmi Shi në një konferencë në Prishtinë bëri një konstatim ku tha se “Ju keni një popull të mrekullueshëm, por keni lider të këqij”. Duhet ta kemi parasysh se ky konstatim bie ndesh me shprehjen historike të Hegelit që thotë se “çdo popull ka udhëheqjen që meriton”.


Termi “i informuar mirë” përfshinë informimin e qytetarëve në mënyrë të saktë, të drejtë, objektivë dhe të paanshëm duke ju lënë atyre mundësin për gjykimin përfundimtar të ngjarjes. Të jesh mirë i informuar do të thotë të qëndroshë syhapur ndaj të gjitha ngjarjeve dhe zhvillimeve të rëndësishme rreth teje. Një media që arrin të informojë mirë publikun e saj gjithashtu arrin të krijojë një shoqëri mendjehapur, që është e përgatitur për të analizuar çdo veprim të institucioneve shtetërore ose të vetë shoqërisë.


Ndikimi i medias në krijimin e opinionit publik gjatë ngjarjeve më të mëdha historike

Supozoj se po të shkoj në shembuj më ekstrem gjithçka do të jetë më e qartë.
Ndikimi i mediave gjatë zhvillimit të disa prej luftërave më të mëdha që njeh historia botërore ka qenë i jashtëzakonshëm sa i takon krijimit të opinionit publik për luftën nëpërgjithësi.

Gjatë gjithë kohëzgjatjes së L.II B. qeveria e SHBA e kontrollonte publikimin e të gjitha ngjarjeve përpara se të dilnin në media, proces i cili njihej si “Censorship” (censurë). Ato mundoheshin që të jepnin një qasje pozitive ndaj vlerësimit të ndodhive gjatë luftës. Të gjitha fotografitë e bëra gjatë luftës ishin detajisht të analizuara nga qeveria e SHBA, gjegjësisht sektorit të “Censorship”. Opinioni i publikut ishte tërësisht i krijuar mbi imazhet e pakta që ju ofroheshin. Popullata dukej se ishte më shumë pro-luftës gjatë periudhës së L.II B.

Pas vitit 1943 qeveria filloi të thyejë disa nga rregullat e “Censorshipit” dhe lejoi që disa nga fotografitë e luftës të publikoheshin. Një nga fotografitë më me jehonë që u publikua në vitin 1943 ishte fotografia e disa ushtarëve amerikanë të vrarë në vend të huaj.

  
Lufta e Vietnamit ndryshe quhej edhe “Lufta e dhomave të ditës”. Kjo ishte lufta e parë, ngjarjet e të cilës mbulonin rubrikat e lajmeve në televizione, të cilën kishin mundësi ta përcjellin me miliona amerikanë nga shtëpitë e tyre. Gjatë kësaj periudhe, njerëzit mund të shikonin se si shkatërroheshin fshatërat, si digjeshin të gjallë fëmijët vietnamezë, trupa të pajetë të ushtarëve amerikanë që dërgoheshin në shtëpi etj. Gjersa i ndiqnin të gjitha këto, publiku ndihej sikur vetë ishte në mesin e ngjarjeve të asaj lufte.

Në vitin 1990, me përparimin e teknologjisë, publiku kishin mundësi që Luftën e Gjirit Persik shpesh ta shohin në sekuenca të transmetuara drejtpërsëdrejti. CNN jepte një mundësi për amerikanët që të kishin një qasje 24 orëshe, drejtpërsëdrejti nga skenat e luftës.

Lufta në Irak ishte lufta e cila u përcoll nga të gjitha mënyrat e informimit të publikut duke filluar nga fotografia, televizioni deri te interneti. Kjo luftë ishte pothuajse komplet e shfaqur te publiku. Publikut nuk i pëlqente ajo që shihte dhe pothuajse të gjithë e kthyen opinionin e tyre kundër luftës.

Si gjithmonë në fillim lufta duket shume sipërfaqësore. Me kalimin e kohës fillojnë të dalin imazhet që tronditin, ato që tregojnë ndodhi të vërteta gjatë kohës së luftës. E gjithë kjo tregon qartë se përderisa media mbante një qëndrim të përmbajtur dhe deri diku pozitiv për luftërat edhe publiku nuk i kritikonte luftënxitësit. Në kohën kur filluan të qarkullojnë fotografi në lidhje me ngjarje reale nga luftërat, fotografi vrasjesh, shkatërrimesh, djegiesh, dhune, edhe publiku mori një qëndrim që ishte dukshëm kundër luftës në përgjithësi.

Qasja e pakufizuar që kishte publiku deri te ngjarjet e këtyre luftërave historike ndihmoj jashtëzakonisht shumë në krijimin e opinionit publik që ishte kryesisht kundër luftës. Media që përkrah zhvillimin e demokracisë në një vend bën që ai vend gjithmonë e më shumë të bëhet pro-demokratik dhe të gjykojë të gjithë funksionarët dhe krerët e shtetit që keqpërdorin ose abuzojnë të drejtat e qytetarëve të vendit të tyre.


Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë

Ndërkombëtarisht, liritë dhe të drejtat e njeriut konsiderohen si të shenjëta dhe mosrespektimi i tyre dënohet me ligje përkatëse. Rolin e mediave në këtë rast mund ta krahasojm me një korrektor që mundohet të fshijë dhe të përmirsojë gabimet ose shprazëtirat që njihen me kushtetutë dhe ligj por që për një arsye ose për një tjetër shkelen nga institucionet ose vetë shoqëria. Në Republikën e Maqedonisë sovraniteti buron nga qytetarët dhe u takon qytetarëve. Qytetarët e Republikës së Maqedonisë pushtetin e realizojnë nëpërmjet përfaqësuesve të zgjedhur në mënyrë demokratike


Disa nga nenet e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë që përfshijnë këtë qështje janë:

Neni 8
Vlerat themelore të rendit kushtetues të Republikës së Maqedonisë janë:
- liritë dhe të drejtat themelore të njeriut dhe të qytetarit, të njohura me të drejtën ndërkombëtare dhe të përcaktuara me Kushtetutë;
- të shprehurit e lirë të përkatësisë kombëtare;
- sundimi i së drejtës;
- ndarja e pushtetit shtetëror në ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor;
- pluralizmi politik dhe zgjedhjet e lira, të drejtpërdrejta dhe demokratike;
- mbrojtja juridike e pronësisë;
- liria e tregut dhe e sipërmarrësisë;
- humanizmi, drejtësia sociale dhe solidariteti;
- vetadministrimi lokal;
- rregullimi dhe humanizimi i hapësirës dhe mbrojtja dhe përparimi i mjedisit jetësor dhe i natyrës dhe
- respektimi i normave përgjithësisht të pranuara të së drejtës ndërkombëtare.

Neni 9
Qytetarët e Republikës së Maqedonisë janë të barabartë në liritë dhe të drejtat pavarësisht nga gjinia, raca, ngjyra e lëkurës, prejardhja kombëtare dhe sociale, bindja politike dhe fetare, pozita pronësore dhe shoqërore.
Qytetarët janë të barabartë para Kushtetutës dhe ligjeve.

Liria e shprehjes së lirë të njerëzve dhe mediave gjithashtu përbën një pjesë të rëndësishme në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë. Mosrespektimi këtyre të drejtave kushtetuese dënohet sepse liria dhe pavarsia e mediave është një nga bazat e funksionimit demokratikë të vendit

Neni 16
Garantohet liria e bindjes, ndërgjegjes, mendimit dhe e shprehjes publike të mendimit. 
Garantohet liria e fjalës, paraqitjes publike, informimit publik dhe e themelimit të lirë të institucioneve për informim publik.
Garantohet qasja e lirë tek informatat, liria e pranimit dhe e bartjes së informatave.
Garantohet e drejta e përgjigjes në mjetet e informimit publik.
Garantohet e drejta e korrigjimit në mjetet e informimit publik.
Garantohet e drejta e mbrojtjes së burimit të informatës në mjetet e informimit publik. 
Censura është e ndaluar.



Media e pavarur – shoqëri demokratike

Për të pasur një media që është pro interesave të publikut dhe jo pro interesave personale të funksionarëve shtetëror duhet që fillimisht mediat të sigurojnë të ardhura financiare që do t’i bëjnë ato të pavarura financiarisht nga sistemet politike. Pas kësajë gazetarët duhet të informohen mirë me të drejtën ligjore të tyre për të arritur deri të informatat me karakter publik. Funksionimi dhe respektimi i drejtë i ligjit që mbron të drejtën e gazetarëve do t’i bënte ato më të pavarur në dhënien e saktë të informacioneve duke mos pasur frikë nga publikimi i të vërtetës të cilën publiku kanë të drejtë ta dinë.

Respektimi i të drejtave të informimit publik është një ndër nenet kryesore dhe të patjetërsueshme si pjesë e Kushtetutës së vendit tonë e njohur dhe e respektuar ndërkombëtarisht nga të gjitha vendet e zhvilluara demokratike. Mosrespektimi i saj dënohet me ligj.





Fatlume Dervishi - Kërçovë


1 comment:

  1. Komplimentet e mia. Me të vërtet një shkrim shumë i mirë. Mënyra se si është i shkruar dhe tema janë mbresëlënëse.

    ReplyDelete